QIKSHN ju uron festën e Fitër Bajramit!

Anëtarë të nderuar, besimtarë të dashur ju përcjellim bekimet e All-llahut Fuqiplotë deri tek ju me shpres që ky muaj i madhërishëm të ketë lënë gjurmë të pashlyera në shpirtin tonë!

Përcollëm muajin më të veçantë, muajin e Kur’anit fisnik, muajin e edukimit dhe humanizmit, muajin e shenjtë të Ramazanit në të cilin ne të gjithë e shprehëm dashurinë dhe besimin tonë të sinqertë e të paskajshëm ndaj Krijuesit të të gjitha botërave, Allahut Fuqiplotë. Muaj i cili karakterizohet me plot adhurim, urtësi, porosi, kulturë, moral, vetëdijsim, ringjallje shpirtërore e trupore, me korniza të definuara pozitivisht dhe me koncept shumëngjyrësh e shumëdimensional. Ramazani si muaj që simbolizon sakrificën dhe gadishmërinë e besimtarit të denjë islam për të hequr dorë në emër të Allahut nga të mirat e kësaj bote, shpresoj të ketë forcuar edhe më shumë bindjen tonë e të ketë fisnikëruar shpirtin e çdo muslimani. 

Gjatë muajit të Ramazanit, përmes Kur’anit, namazit, agjërimit dhe durimit , përmes mirësisë dhe humanitetit, kuptuam filozofinë e këtij muaji të shenjtë, i cili shërbeu si udhërrëfyes në drejtim të mënjanimit të të gjitha dukurive devijuese dhe destruktive shoqërore. Ngase feja Islame preferon dashurinë përballë urrejtjes, moralin përballë jomoralit, tolerancën përballë tensionimeve , respektin përballë dhunës, kujdesin përballë neglizhencës, solidaritetin përballë egoizmit. 

Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë!

Me rastin e kësaj feste botërore Islame bëjëm thirrje tek çdo besimtar musliman që të praktikon me përkushtim porosinë e Pejgamberit tonë a.s kur thoshte: “Kush e gjallëron Natën e Bajramit, përmes leximit të Kur’anit, faljes së namazit, të përkujtuarit madhërinë e Zotit në forma të ndryshme , zemra dhe shpirti i tyre do të mbetet i gjallë në Ditën kur të gjitha zemrat do të pushojnë nga gjallëria”.

Sot të gjithë Ne duhet të tregojmë nivelin e kulturës fetare dhe karakterin e personalitetit tonë duke ia shtri dorën gjithsecilit dhe duke ia hapur derën gjithkujt.  Sot duhet të kërkoni falje nga dikush që ndoshta pa dashje e keni lënduar, dikë me të cilin ndoshta nuk jeni përshëndetur gjatë kohë. Sot dhe vazhdimisht, duhet të përputhemi ideologjikisht dhe shpirtërisht, le të mos ketë individ e as grupe që bëjnë çrregullime dhe huti në shoqëri. Të jemi mikëpritës të mëdhej, fytyrat tona le të buzëqeshin pandërprerë, të ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore me dashuri, sinqeritet e vëllazërim. Ne, sot dhe gjithmonë do të jemi afër të varfërve, afër të sëmurëve, skamnorëve dhe jetimëve dhe afër gjithë atyre që kanë nevojë për dorën tonë të shtrirë.   

Besimtar të nderuar!

Duke ju dëshiruar gëzime dhe lumturi në këto ditë festive të Bajramit, i ftojmë të gjithë besimtarët islam, si dhe të gjithë njerëzit tjerë me vullnet të mirë që të kultivojnë vlera njerëzore dhe civilizuese, të shprehin dashuri ndaj familjes, miqëve dhe fqinjëve, të respektojnë konceptin universal për lirinë dhe të drejtat e njeriut e të nderojnë ndryshimet me të cilat na ka karakterizuar Allahu.

Anëtarë të nderuar të QIKSHN-së dhe musliman të nderuar në trojet tona shqiptare dhe në gjithë diasporën tonë të respektuar qofshit të gëzuar përgjithmon, Allahu ju bekoft dhe me fat Fitër bajrami!

 

Me respekt,

Kryesia e QIKSHN-së