Nata e shënuar Lejletul-Regaib, e cila në gjuhën arabe është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë dëshirë, prirje, interesim. Besohet se në këtë natë, mëshira, ndihma dhe bujaria e Allahut shpërndahen me të tepërt.
Nata e shënuar Regaib, sipas kalendarit hënor, është nata duke u gdhirë xhumaja e parë (nata që lidh ditën e enjte me të premte) e muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i Tre Muajve të begatë. Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy net puqen bashkë nata bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit Ramazan. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatitje shpirtërore dhe e drejton veten e tij kah adhurimet, përgjegjësitë individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.
Në popull është konceptuar gabim fakti që në këtë natë ka mbetur shtatzënë nëna e profetit tonë, Emineja. Vetë data e lindjes së Profetit tonë nuk e vërteton këtë hipotezë. Mundet që në këtë natë Emineja ta ketë kuptuar që ishte shtatzënë. Një komentim i tillë i këtij koncepti do të ishte më i përshtatshëm.
Sipas mendimeve të dijetarëve islam, në këtë natë Allahu i madhëruar e ka begatuar profetin Muhamed (a.s.) me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara. Allahu natën e Regaibit i jep myslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet, pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Profeti ynë i nderuar, në një hadith të transmetuar nga Enesi (r.a.), ka thënë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse engjëjt asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib!” Ndërsa në disa thënie të tjera për rëndësinë e kësaj nate Profeti Muhamed (a.s.) është shprehur: “Ai që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (Nata e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr” (Saadet-i Ebedije). “Lutja që bëhet në këto pesë net nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, natën e 15 të Shabanit, të xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit” (Ibn-i Asakir).
Për besimtarët myslimanë, në veçanti, si çdo festë fetare e çdo besimi në përgjithësi, ka domethënie më të gjerë se emri që ajo ka.
Ato manifestojnë bindshëm, me anë të mesazhit që sjellin, qëllimet dhe ndikimet në dobi të shndërrimeve pozitive të figurës njerëzore, në dobi të vetes, të familjes, të shoqërisë e të kombit. Ato shpalosin para shoqërisë njerëzore nevojën për dashurinë ndaj njëri-tjetrit, për unitetin, harmoninë, mirëkuptimin dhe vëllazërimin, nëpërmjet ndjenjës humane që buron nga Krijuesi i vetëm, nga një Zot i vetëm, ndjenjë të cilën vetë Zoti e bëri pjesë integrale të personalitetit të njeriut, duke mos e përkufizuar atë te ndonjë racë, ngjyrë apo klasë shoqërore, por duke e barazuar shoqërinë njerëzore, nëpërmjet angazhimeve moralo-qytetare, ku çdo njeriu i kërkohet të jetë shembull i dalluar i ndershmërisë dhe i përzemërsisë, ku çdo njeri të plotësojë detyrat e tij në mënyrë korrekte, të kërkojë dituri e virtyt dhe të zhvillojë një kuptim më të mirë të vetëdijes sociale, duke ushqyer ndjenjë përgjegjësie për fatet e tij, të familjes e të shoqërisë.
Çdo festë fetare është njëkohësisht edhe angazhim për mbrojtjen e nderit, të dinjitetit, të kombit e të atdheut. Fetarizimi i njerëzve asnjëherë nuk do të thotë dhe nuk duhet të kuptohet si rrugë që mënjanon cakun dhe qëllimin e përkatësisë kombëtare. Përkundrazi, fetarizimi i tyre do të thotë përmbushje e koncepteve me përmbajtje kombëtare në favor të paqes, të lirisë e demokracisë, të punës e progresit, të mbrojtjes së gjuhës, kulturës dhe vlerave që karakterizojnë dhe dallojnë një komb.
Për besimtarët myslimanë çdo festë fetare, ashtu si edhe kjo që po përkujtojmë tani, duhet të jetë shkas për reagime të sinqerta në drejtim të asaj që është bërë, të asaj që po bëhet dhe të asaj që duhet të bëhet në favor të formimit të personalitetit si besimtar e qytetar e si adhurues, gjithnjë me qëllim të palëkundshëm për të çuar përpara afirmimin e figurës njerëzore drejt qëllimeve më fisnike, duke pasur gjithnjë parasysh porosinë e Krijuesit tonë në fjalën e tij në Kuran, ku thotë: “O ju që besoni, kijeni parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çfarë ka bërë për nesër dhe kijeni frikë Allahun, se nuk ka dyshim se Allahu është në dijeni për çdo detaj të asaj që punoni” (Hashr, 18).