Kurbani – pjesa e parë

KURBANI

Fjala “Kurban” është fjalë me prejardhje arabe dhe rrjedh nga folja  “قَرَّبَ  (karrebe) – يُقَرِّبُ  (jukarribu)”, që do të thotë “afrim”. Mirëpo, në rastin konkret ka të bëjë me sakrificë, e cila të afron te Allahu i Madhërishëm. Pra, Kurban do të thotë sakrifikim apo gatishmëri për të sakrifikuar çdo gjë, po edhe në qoftë se është në pyetje jeta, vetëm e vetëm për të fituar gradën e nivelit më të lartë – të afruarit te Allahu i Madhërishëm.

Në islam kemi dy festa vjetore dhe që të dy festat janë të ndërlidhura me humanizëm, mirësjellje, tolerancë, butësi dhe paqe. Dhe që të dyja kanë të bëjnë me kontributin e muslimanit për të tjerët në praktikë, e jo në teori, sepse përkrahja morale ndaj të tjerëve duhet të realizohet në praktikë.

Në Fitër Bajram përkrahja ndaj të tjerëve bëhet duke u dhënë mjete materiale, ndërsa në Kurban Bajram përkrahja ndaj të tjerëve bëhet duke sakrifikuar, e pastaj ajo sakrificë t’u jepet tjerëve, vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe të afruarit tek Ai.
Kurbani është bërë obligim (vaxhib) në vitin e dytë të hixhretit. Dhe kjo është e argumentuar me Kur’an, sunet dhe ixhma.

Argumentimi me Kur’an:

Në suretul Kevther Zoti i Lartmadhëruar thotë:
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ (1) فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ (2)
“Nuk ka dyshim, se Ne, ty (o Muhamed) ta kemi dhënë kevtherin (islamin, sheriatin, fjalën La ilahe il-lallah dhe ujin e posaçëm të xhenetit). Andaj, fale namazin (e Bajramit) dhe ther kurban”.
(El-Kevther, 1-2)

Po ashtu në një ajet tjetër Zoti i Lartmadhëruar thotë:
قُلْ إِنَّ صَلاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ
“(Thuaj) nuk ka dyshim se i tërë namazi im (dhe lutjet e mia), adhurimi (kurbani) im, e tërë jeta ime, por edhe vdekja ime, thjesht është vetëm për Allahun – Zotin e të gjithë botëve”.
(El-En’amë, 162 )Ajetin tjetër, i cili tregon për dispozitimin e kurbanit, e gjejmë në suretul Haxh:

وَالْبُدْنَ جَعَلْنَاهَا لَكُمْ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ لَكُمْ فِيهَا خَيْرٌ فَاذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَيْهَا صَوَافَّ فَإِذَا وَجَبَتْ جُنُوبُهَا فَكُلُوا مِنْهَا
وَأَطْعِمُوا الْقَانِعَ وَالْمُعْتَرَّ كَذَلِكَ سَخَّرْنَاهَا لَكُمْ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ
“E devetë (të cilat bëhen kurban) jua kemi bërë prej dispozitave të Allahut, që prej atyre (dispozitave) keni dobi, andaj përmendeni emrin e Allahut, deri sa të jenë ato në këmbë (pa u therë), e kur të shtrihen në tokë (pasi t’i keni therë) hani prej tyre dhe ushqeni atë që lyp dhe atë që nuk lyp. Kështu, ato (kafshë) jua vëmë në shërbimin tuaj që të jeni mirënjohës.”
(El-Haxh, 36)

Qëllimi i kurbanit nuk është vetëm derdhja e gjakut dhe ngrënia e mishit, por me kurban simbolizohet gatishmëria për sakrificë, solidaritet, bamirësi, besim, sinqeritet dhe devotshmëri. Për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar thotë:
لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلا دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ كَذَلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَبَشِّرِ الْمُحْسِنِينَ
“Tek Allahu nuk arrin as mishi i atyre (kurbaneve) e as gjaku i tyre, por tek Ai (Allahu) arrin bindja dhe devotshmëria e juaj”.
(El-Haxh, 37)

Argumentimi me sunet:
Në librat e haditheve, pra në koleksionet e tyre, janë regjistruar shumë hadith që tregojnë për dispozitimin e kurbanit, por ne do t’i tregojmë disa prej tyre:

Hadithi:
“Veprën e parë që do ta bëjmë në këtë ditë të Bajramit është se do ta falim namazin e Bajramit, e pastaj do të kthehemi e do të presim kurbanet. Kush vepron kështu ka praktikuar sunetin tim”.
Nuk theret kurbani para ditës së Bajramit, apo siç është bërë zakon tek ne që në natën e Bajramit (një ditë para Bajramit) të prehet kurbani për të vdekurit. Por, kurbani për të gjallët edhe për të vdekurit është paraparë të theret në ditën e parë, të dytë dhe të tretë të Bajramit. Ndryshe edhe ditët e haxhit, për këtë arsye edhe quhen ditët e therjes apo kurbanit (Ejjamun-Nahr).

Muhamedi a.s. ka thënë:
“ Kush e ther (e pret) kurbanin para namazit të Bajramit le ta përsëritë kurbanin e tij (le ta therë tjetër), e kush e ther pas faljes së namazit (të Bajramit) ai e ka plotësuar obligimin e tij dhe e ka praktikuar sunetin e myslimanëve”.

Në një hadith tjetër Muhamedi s.a.v.s. thotë:
“Kur dikush nga ju dëshiron dhe pret kurban, një pjesë të atij (kurbani) le ta ndalë për nevojat e veta”.

Po ashtu Aishja r.a. tregon se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë:
“Në kohën e ditëve të Kurban Bajramit, prej veprave më të dashura tek Allahu është se besimtari, i cili e pret kurbanin do të gëzohet me shpërblim të madh nga Allahu xh.sh. në jetën e posaçme, kur dihet se besimtari e ther kurbanin me qëllim që të fitojë kënaqësinë e Allahut, për të kryer këtë detyrë vetëm për shkak të urdhrit të Allahut. Nga ana tjetër kjo vepër e mirë do të arrijë tek Allahu, para se të bjerë pika e parë e gjakut në tokë. Prandaj, zbukuroni punët tuaja me kurbane”.

Argument nga ixhmai:
Janë pajtuar të gjithë dijetarët e umetit se kurbani është dispozitë dhe këtë nuk e ka kundërshtuar askush asnjëherë, andaj edhe merret si argument i ixhmait.
IBRAHIMI A.S. DHE KURBANI I XHENETIT

Ibrahimi a.s. e ka lutur Zotin e Madhërishëm:
رَبِّ هَبْ لِي مِنَ الصَّالِحِينَ
“O Zoti im më dhuro mua (fëmijë) nga të mirët”.
(Es-Saffat, 100)

Kur e sheh dëshirën e flaktë të Ibrahimit a.s. që të ketë djalë të mirë, Allahu ia plotëson dëshirën, ia pranon lutjen dhe e përgëzon me djalë të urtë, të mençur, të dëgjueshëm dhe të sjellshëm. Këtë e tregon Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an, ku thotë:
فَبَشَّرْنَاهُ بِغُلامٍ حَلِيمٍ
“Dhe Ne e përgëzuam atë me një djalë që do të jetë i urtë dhe i mençur”. (Es-Saffat, 101)

Këtë fëmijë Zoti i Lartmadhëruar ia fali pas 80 viteve.

Kur ky fëmijë arrin moshën që t’i ndihmonte, ta përkrahte babën e tij, mu atëherë Zoti, nëpërmjet ëndrrës, i bën me dije që këtë fëmijë duhet ta sakrifikojë dhe ta bëjë kurban vetëm për ta fituar kënaqësinë e Allahut. Testimi dhe sprovimi i Ibrahimit nuk ishte vetëm në këtë rast, ai i kishte kaluar të gjitha testet shkëlqyeshëm, tani ishte radha e testimit më të rëndë më të vështirë sa s’ka më.

Ibrahimi ishte testuar dhe kishte rënë në sprovë atëherë kur i tërë populli (njerëzimi) ishte pabesimtar, ndërsa ai ishte i vetmi besimtar. Ai i dëbua nga babai i tij vetëm pse ishte besimtar, ai është hedhur në zjarr, ndërsa me gjakftohtësi thoshte “Hasbijallahu ve Niëmel Vekilë” (Më mjafton Allahu, Ai është ndihmëtari më i mirë), prandaj Zoti e ka shpëtuar.

Ai ishte sprovuar edhe me mbretin tiran – Nemrudin, i cili ka tentuar t’ia çnjerëzonte gruan e tij, por edhe aty del ngadhënjimtar. Ai është privuar një kohë të gjatë nga fëmijët, ai vazhdimisht është endur dhe ka migruar nga një vend në tjetrin.

Ai qysh në momentin e lindjes së djalit e ka braktisur gruan dhe djalin e tij në mes të shkretëtirës në Meke. Dhe tani ishte testi i fundit – therja e djalit, pasi që edhe këtë testim e ka kaluar me të drejtë ai edhe e ka marrë gradën “Halilull-llah – Dashamir i ngushtë i Allahut”.

Kur Ibrahimi a.s. e sheh ëndrrën, e thërret birin e tij – Ismailin a.s. e i thotë:
… قَالَ يَا بُنَيَّ إِنِّي أَرَى فِي الْمَنَامِ أَنِّي أَذْبَحُكَ فَانْظُرْ مَاذَا تَرَى …
“O biri im! Vërtet, unë vazhdimisht po shoh ëndërr sikur unë po të theri (po të bëj kurban). Po ti, çfarë mendon?”.

Ismaili a.s. i thotë:
… قَالَ يَا أَبَتِ افْعَلْ مَا تُؤْمَرُ سَتَجِدُنِي إِنْ شَاءَ اللَّهُ مِنَ الصَّابِرِينَ .
“O babai im, vepro sipas asaj që je i urdhëruar. Në dashtë Allahu (edhe kur të më therësh) do ta shohësh se do të jem prej durimtarëve”.
(Es-Safat, 102)

Pas konsultimit dhe vendimit të përbashkët të babait dhe të birit, Ibrahimi a.s. e merr Ismailin, e merr thikën, e mpreh mirë dhe niset për ta dërguar në vendin e therjes. Në këtë kohë shejtani me pamjen e një burri të moshuar dhe të urtë shkon te Ismaili dhe i thotë: “O Ismail! Babai yt është plakur dhe tani nuk logjikon si duhet dhe thotë gjëra të kota, dhe dëshiron të të therë pa kurrfarë shkaku e arsye.

Ismaili, edhe pse ishte shumë i ri, merr shtatë guralecë dhe me ta e gjuan të moshuarin (shejtanin). Në këtë vend haxhilerët simbolikisht gjuajnë shejtanin në vendin e quajtur “Xhemretu Sugra – Gjuajtja e guralecëve në vendin e vogël”.

Shejtani kur e sheh se nuk mund ta bindë djalin – Ismailin a.s., shkon tek nëna e tij – Haxherja dhe i thotë: “Oj Haxhere!

Shko dhe pengoje Ibrahimin se ai ka vendosur ta therë djalin tuaj të vetëm”. Haxherja, nëna që ishte e bindur thellë në vullnetin e Zotit, merr shtatë guralecë dhe me ta gjuan shejtanin. Për ta përjetësuar këtë veprim është bërë traditë që haxhilerët të gjuajnë shtatë guralecë te vendi ku ka ndodhur Haxherja e që quhet “Xhemretul vusta – Vendgjuajtja e guralecëve në vendin e mesëm”.

Pastaj shejtani shkon te Ibrahimi a.s. e i thotë: “O Ibrahim! Si e lejon veten ta therësh djalin tënd të vetëm, vetëm për shkak të ëndrrave, a e di se ato janë iluzione. A e di se tani je tepër i moshuar e nuk mund të kesh fëmijë tjerë. Ibrahimi a.s. ishte i bindur thellë në Zotin, i ishte dorëzuar vullnetit të Zotit tërësisht, për këtë arsye edhe ai i merr shtatë guralecë dhe e gjuan shejtanin tek vendi që sot quhet “Xhemretul Kubra – Vendgjuajtja e guralecëve në vendin e madh”.

Përderisa Zoti ka bërë ligj që zjarri të djegë dhe të shkrumbojë gjithçka, te rasti i Ibrahimit, por edhe kur të dëshirojë Zoti, mund ta ndryshojë dhe ta bëjë që të mos djegë, por përkundrazi të freskojë. Po ashtu përderisa Zoti e ka bërë ligj që thika të pretë, Zoti mund ta ndryshojë atë ligj që thika të mos pretë. Kështu Ibrahimi a.s. habitej se si thika e tij nuk e priste qafën e djalit të tij – Ismailit.

Ismaili e ndjente lëvizjet e thikës, por nuk ndjente dhembje, e i thoshte babait: “O baba ngjeshe mirë, mprehe mirë thikën”, edhe pse baba e mprehte mirë thikën dhe e ngjeshte në qafën e të birit, ajo nuk e priste djalin.  Zoti i

Lartmadhëruar tregon në Kur’an:
فَلَمَّا أَسْلَمَا وَتَلَّهُ لِلْجَبِينِ (103) وَنَادَيْنَاهُ أَنْ يَا إِبْرَاهِيمُ (104)
قَدْ صَدَّقْتَ الرُّؤْيا إِنَّا كَذَلِكَ نَجْزِي الْمُحْسِنِينَ (105)
إِنَّ هَذَا لَهُوَ الْبَلاءُ الْمُبِينُ (106) وَفَدَيْنَاهُ بِذِبْحٍ عَظِيمٍ (107)

“Dhe kur të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë me fytyrë (për toke). Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim! Ti tashmë e zbatove ëndrrën. Ne kështu i shpërblejmë të mirët. Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një kurban të madh”. (Es-Saffat: 103 – 107)

Ajo që ka ndodhur është se Xhibrili a.s. ia ka sjellë Ibrahimit a.s. një dash të madh, të bardhë dhe me brirë nga qielli, një dash nga xheneti. Thotë Ibn Abasi r.a.: “Ishte një dash, i cili kishte kullotur në xhenet për 40 vite. Ai kishte pirë ujë nga lumenjtë që burojnë prej Firdevsit të lartë”.

KUSHTET E THERJES SË KURBANIT

Për të qenë vaxhib kurbani, personi në fjalë duhet t’i ketë të plotësuara këto kushte:

1. Të jetë musliman, që do të thotë se jomuslimani nuk mund ta presë kurbanin, por nëse e pret, nuk i pranohet;

2. Të mos jetë rob, pasi që dihet se robi nuk ka të drejtë pasurie;

3. Të mos jetë udhëtar (sipas sheriatit islam), mirëpo nëse udhëtari e ther kurbanin, i pranohet, mirëpo ai kurban për të është kurban nafile (vullnetar), e jo pse e ka vaxhib. Ebu Bekri dhe Omeri r.a. nuk kanë prerë kurban kur kanë qenë udhëtarë.

4. Të jetë i pasur apo të ketë mundësi materiale. Për të qenë zekati farz, shuma e nisabit 92.5 gr. ari, apo kundërvlera e tij duhet të jetë në disponim të personit një vit të plotë, ndërsa me rastin e kurbanit personit të cilit gjatë ditëve të Kurban Bajramit i gjenden 92.5 gr. ari apo kundërvlera e tyre, dhe përpos kësaj shume mbulimi i nevojave elementare për jetë. Nëse i varfëri, i cili nuk e ka plotësuar këtë kusht e pret kurbanin, i pranohet, por kurbani i tij është nafile (vullnetar) e jo vaxhib. Këtij personi i bëhet vaxhib nëse e blen kurbanin, por ndodh që i humb, atij atëherë i bëhet vaxhib, edhe pse për të parën herë nuk e ka pasur vaxhib.
– Në sheriatin islam, burri nuk e ka vaxhib të presë kurban për gruan e tij, por nëse e pret i pranohet dhe ai kurban është vullnetar. Mirëpo nëse edhe burri edhe gruaja, secili prej tyre posedon pasurinë (shumën e sipërpërmendur), atëherë që të dy e kanë vaxhib therjen e kurbanit.

5. Të jetë i shëndoshë mentalisht.
Me rastin e Sadakatul Fitrit, fitrat jepen për çdo anëtar të familjes, ndërsa me rastin e kurbanit çështja nuk është kështu, që do të thotë nuk prehet kurban për çdo anëtar të familjes. Në anën tjetër nuk është vaxhib të prehet kurban për prindin apo familjarin e vdekur (e kurrsesi që për të vdekurit të theret natën e Kurban Bajramit, e për të gjallët ditën e Kurban Bajramit) Me këtë nuk kemi për qëllim që të themi nuk prehet kurbani për vdekurit, por përkundrazi i vdekuri, i cili para vdekjes ka lënë porosi (vasijet) që t’i prehet kurbani, ai vasijet (porosi) patjetër duhet t’i plotësohet dhe të prehet kurbani për të në ditën e Kurban Bajramit, e jo natën e Bajramit, dhe mishi i atij kurbani në tërësi të shpërndahet.

Nga kjo që thamë mund të përfundojmë:

– Për të vdekurin, i cili ka lënë porosi (vasijet) vaxhib është prerja e kurbanit për të;
– Për të vdekurin, i cili nuk ka lënë porosi (vasijet) edhe nëse prehet kurbani për të, është vaxhib kurbani për personin i cili i pret kurbanin për prindin e tij apo për të afërmin e tij të vdekur, që do të thotë se nga vaxhibi nuk lirohet dhe duhet t’i presë dy kurbane;
– Kurbani edhe për të gjallët edhe për të vdekurit pritet prej ditës së parë e deri në ditën e tretë të Kurban Bajramit.

6. I moshërrituri
I moshërrituri lejohet që nga pasuria e të voglit, i cili ende nuk e ka arritur moshën e pjekurisë, që për të të pritet kurban, këtë e bën kujdestari i tij. E vërteta është se ai nuk e ka vaxhib, por është mustehab, pra e parapëlqyer kurbani për të voglin. Ndërsa babai nuk pret kurban për të voglin, sikurse e jep sadakatul fitrin edhe për të voglin.

Shart është nijeti. Prerja e kafshës mundet të jetë për mish, por edhe për afrim tek Allahu. Për këtë arsye shart është nijeti se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Nuk ka dyshim se veprat shpërblehen sipas qëllimit”.

Nëse shtatë veta e prejnë një lopë kurban, atëherë që të gjithë pjesëmarrësit duhet ta kenë qëllimin për kurban, nëse njëri prej tyre nuk e ka nijetin për kurban, kurbani është i pavlefshëm për të gjithë, sepse afrimi (ibadeti) është në derdhjen e gjakut, e kjo nuk është arritur pasi njëri ka pasur qëllim tjetër.

Dr. Musli Vërbani