Kurbani – pjesa e katërt

TË USHQYERIT NGA KURBANI HEDJ (DHURATË)

Nëse kurbani hedj është për shkak të haxhit Temetuë ose Kiran, ose vullnetar, lejohet të ushqehet haxhiu prej mishit të atij kurbani.
Nëse kurbani hedj është për shkak të Ihsarit, gjakut, përbetimit ose kefareteve (dënimeve) të haxhit, nuk lejohet të ushqehet nga ai kurban, sepse është vërtetuar se Pejgamberi s.a.v.s. kur ka qenë i penguar ta kryejë haxhin, në vitin e Hudejbijes, ia ka dërguar kurbanet Nexhijete Eslemijut dhe i ka thënë: “Ti dhe bashkudhëtarët e tu të mos hani asgjë nga mishi i kurbanit hedj”.

KOHA E PRERJES SË HEDJIT (DHURATË)

Kurbani Hedj i haxhit Temetuë dhe Kiran nuk lejohet të prehet në kohë tjetër, pos prej pas faljes së Bajramit e deri në namazin e akshamit të ditës së tretë të Kurban Bajramit.
Kurbani Hedj vullnetar (nafile) lejohet të prehet një ditë para kurban Bajramit.
Kurban hedj i llojeve tjera si të kefareteve, nedhrit, i gjakut, etj. lejohen të prehen në çdo kohë, pra përpos tri ditëve të Kurban Bajramit, lejohen në çdo ditë tjetër të vitit, edhe pse më së miri është që të theret gjatë tri ditëve të Kurban Bajramit.

VENDI I THERJES SË HEDJIT (DHURATË)

Prerja e kurbanit hedj me llojet e tij vendin e ka vetëm në Meke, Muzdelife dhe Mine, ndërsa në asnjë vend tjetër nuk lejohet të prehet, sepse hedj do të thotë të dhuruarit në vend të posaçëm, e ai vend është Mekeja. 
Transmeton Xhabiri r.a. se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: 
“Mina konsiderohet vend për therje të kurbanit hedj, Muzdelifeja konsiderohet vend për therje të kurbanit hedj dhe çdo kënd i Mekes konsiderohet vend për therje të kurbanit hedj”. 
(Ebu Davudi dhe Ibni Maxhe)
Hedji Nedhr është atëherë kur ndokush përbetohet se do të presë kurban e do t’i ushqejë të varfërit ose përbetohet se do të presë kurban, me fjalë tjera i premton Allahut bindshëm se do të presë kurban dhe do t’i ushqejë të varfërit.

NË CILAT RASTE PRITET KURBANI HEDJ 

Kurbani Hedj pritet në për këto raste:
– Nëse haxhiu kontakton seksualisht para qëndrimit në Arafat, haxhi i prishet, por përpos kësaj ai duhet të therë një dele kurban, e pastaj e kryen haxhin kaza në vitin tjetër.
– Nëse haxhiu e kryen tavafin thelbësor xhunub ose femra me menstruacion, ose në kohën e lehonisë.
– Nëse haxhiu e kryen haxhin Kiranë dhe e kryen ndonjë gabim prej gabimeve të haxhit që obligon therjen e kurbanit, ai i ther dy kurbane, sepse haxhi i tij nuk është as Ifrad, as Temetuë, por Kiranë.
P.sh. nëse rruhet apo i shkurton flokët para therjes së kurbanit, ai një kurban e pret për shkak të vonimit të vaxhibit dhe një tjetër për shkak se është në haxhin Kiranë. Pra, dënimi me një kurban Hedj për shkak të vonimit.
– Veshja e rrobave, mbulimi i kokës, prerja e thonjve dhe të parfumuarit.
– Nëse shkurton një të katërtën e flokëve e më shumë ose një të katërtën e mjekrës e më shumë ther një dele kurban.
– Nëse në të njëjtën kohë i shkurton thonjtë e njërës këmbë ose të njërës dorë e therë një dele kurban.
– Nëse haxhiu parfumohet një pjesë të plotë të trupit, f.v.  të parfumuarit e tërë kokës, gojës, këmbës, ose e pjesës më të madhe të trupit, e ther një dele kurban.
– Nëse haxhiu e vesh rrobën e parfumuar një ditë të plotë.
– Nëse e ngjyros kokën, mjekrën apo duart me kanë, e ther një dele kurban.

Nëse haxhiu shkurton flokët për shkak të ndonjë sëmundjeje në kokë ose parfumohet për shkak të një domosdoshmërie ose vesh rroba për shkak të domosdoshmërisë ai ka të drejtë të zgjedh në mes të kurbanit, ushqimit të gjashtë të varfërve ose agjërimin e tri ditëve. Kjo argumentohet me ajetin kur’anor: 
… فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضاً أَوْ بِهِ أَذىً مِنْ رَأْسِهِ فَفِدْيَةٌ مِنْ صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍ …
“Dhe kush është i sëmurë ose ka dhembje në kokë e rruhet (apo i shkurton flokët), për atë shkak ai duhet të kompensojë me agjërim, sadaka ose kurban”. 
(El-Bekare, 196)
Po ashtu kemi hadithin e Muhamedit s.a.v.s., kur i thotë Keab bin Uxhres: 
“A po të dhemb koka? Ai thotë – po. Muhamedi s.a.v.s. i thotë: “Shkurtoji flokët, dhe, ose preje një kurban, ose agjëro tri ditë, ose ushqeji një grup prej gjashtë personave të varfër”.
Analogji me këtë janë edhe çështjet tjera, si: të parfumuarit, veshja e rrobave dhe shkurtimi i thonjve.

Kontaktimi seksual
– Nëse përqafon, e puth apo e ledhaton bashkëshorten gjatë haxhit, ose ejakulon me dorë, vaxhib e ka haxhiu të pres kurban.
– Nëse kontakton seksualisht para qëndrimit në Arafat, haxhi prishet, por në të njëjtën kohë e ka vaxhib të presë një dele kurban hedj dhe duhet vitin tjetër ta bëjë haxhin kaza.
– Nëse kontakton seksualisht haxhiu pas qëndrimit në Arafat dhe para se të rruhet apo para tavafit, e ka vaxhib që ta presë një lopë apo një deve kurban hedj. Nëse kontakton për të dytën herë, atëherë e ka vaxhib edhe një dele kurban hedj.
– Nëse kontakton pas qëndrimit në Arafat dhe pasi të rruhet apo t’i shkurtojë flokët, haxhiu e pret një dele kurban hedj.
Nëse gjatë tavafit të umres, para rrotullimit të katërt, haxhiu kontakton seksualisht me bashkëshorten, e pret një dele kurban dhe i zhvleftësohet umreja dhe e bën kaza një umre tjetër, ndërsa nëse pas katër rrotullimeve kontakton seksualisht me bashkëshorten dhe para shkurtimit të flokëve, e pret një dele kurban hedj.

PRERJA E KURBANIT HEDJ PËR SHKAK TË LËNIES SË NDONJË VAXHIBI

– Nëse e bën tavafin përshëndetës xhunub, vaxhib e ka haxhiu të pretë një dele kurban hedj.
– Nëse e bën tavafin thelbësor pa abdes, haxhiu e pret një dele kurban hedj, sepse ky tavaf është rukn i haxhit.
– Nëse e bën tavafin thelbësor xhunub, haxhiu pret një lopë ose një deve kurban hedj, sepse ky tavaf është thelbësor dhe dënimi është më i rëndë. Por, më së miri është që përderisa është në Meke ta përsëritë tavafin dhe të mos pretë kurban.
– Nëse tavafin lamtumirës e bën xhunub, haxhiu e pret një dele kurban.
– Nëse në vend të shtatë rrotullimeve të tavafit thelbësor haxhiu i bën vetëm katër dhe nuk i bën tre tjerët në vazhdim, haxhiu e pret një dele kurban hedj.
– Nëse në vend të shtatë rrotullimeve të tavafit lamtumirës haxhiu i bën tre rrotullime dhe nuk i bën katër rrotullimet tjera në vazhdim, haxhiu e pret një dele kurban hedj.
– Në të gjitha rastet që u përmendën, nëse haxhiu e përsërit tavafin, nuk prehet kurbani hedj, që do të thotë se nuk dënohet me kurban hedj, sepse e plotëson më përsëritje.
– Kush e bën tavafin me një të katërtën e organit të turpshëm të zbuluar, e përsërit tavafin, e nëse këtë nuk e bën, atëherë vaxhib e ka të presë një dele kurban.
– Kush nuk e bën ecjen prej Safa në Merve, pra Saëjin, vaxhib e ka të pretë një dele kurban hedj.
– Kush largohet nga Arafati, pra para perëndimit të diellit, lirohet nga dënimi i prerjes së kurbanit hedj.
– Kush nuk qëndron në Muzdelife, e ka vaxhib prerjen e kurbanit hedj.
– Kush nuk i gjuan tri ditë guralecët, e ka vaxhib prerjen e kurbanit hedj.
– Kush një ditë nuk i gjuan guralecët, e ka vaxhib kurbanin hedj.
– Kush nuk i gjuan guralecët në njërin prej xhemerateve, vaxhib e ka prerjen e kurbanit hedj.
– Kush nuk i gjuan guralecët në ditën e parë pas qëndrimit në Muzdelife, e ka vaxhib prerjen e kurbanit hedj.
– Kush i shkurton flokët apo rruhet pas tri ditëve të Kurban Bajramit, e ka vaxhib prerjen e kurbanit hedj.
– Kush e bën tavafin thelbësor pas tri ditëve të Kurban Bajramit, vaxhib e ka prerjen e kurbanit hedj.
– Kurbani hedj prehet për haxhin temetuë dhe kiran, ashtu siç kemi përmendur më parë.
– Nëse haxhiu vendos ta kryejë haxhin kiran, ai për çdo gabim pret dy kurbane hedj si dënim: një për haxhin e tij dhe një për umren e tij. Përpos, nëse e tejkalon kufirin e Mikatit të Ihramit, atëherë ai e pret vetëm një dele kurban.
– Në të gjitha rastet e prerjes së kurbanit mishi shpërndahet në tërësi, e jo në proporcion një me tre.

1. KURBANI I NEDHRIT (PËRBETIMIT)

Para se të shpjegojmë kurbanin Nedhr (të përbetimit) të sqarojmë vetëm “Nedhrin” – përbetimin, sipas sheriatit islam.
Nedhr do të thotë obligimi apo ngarkimi i vetvetes për t’iu afruar (kurb) Allahut me një çështje me të cilën nuk je i obliguar.
Zoti i Lartmadhëruar tregon për rastin e Merjemes:
… فَإِمَّا تَرَيِنَّ مِنَ الْبَشَرِ أَحَداً فَقُولِي إِنِّي نَذَرْتُ لِلرَّحْمَنِ صَوْماً فَلَنْ أُكَلِّمَ الْيَوْمَ إِنْسِيّاً 
“Dhe nëse të sheh ndonjë njeri thuaj: Vërtet unë jam përbetuar në të Gjithëmëshirshmin në një lloj agjërimi, e ai është se nuk do të flas me asnjë njeri”. 
(Merjem, 26)
Të heshturit, të mosfolurit ka qenë lloj adhurimi i Merjemes, e ai adhurim është të siguruarit e gjuhës nga të folurit.

DISPOZITA E PËRBETIMIT (NEDHRIT)

Përbetimi është prej çështjeve të lejuara (mubah).
Argument për këtë kemi ajetin kur’anor:
وَمَا أَنْفَقْتُمْ مِنْ نَفَقَةٍ أَوْ نَذَرْتُمْ مِنْ نَذْرٍ فَإِنَّ اللَّهَ يَعْلَمُهُ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنْصَارٍ
“Dhe çfarëdo shpenzimi që shpenzoni (për Allahun) apo përbetoheni se do ta kryeni ndonjë premtim, nuk ka dyshim se Allahu atë e di”.
(El-Bekare, 270)
Argument nga hadithi: 
Transmeton Buhariu nga Aishja r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: 
“Kush përbetohet se do ta kryejë një veprim, i cili është adhurim ndaj Allahut, le ta kryejë atë përbetim. E kush përbetohet se do ta bëjë ndonjë mëkat, atë përbetim mos ta kryejë”.
Përbetimi është i lejuar, mirëpo pas përbetimit kryerja e përbetimit është vaxhib, nëse është për afrim tek Allahu.
Përbetimi mund të jetë:
1. Përbetim pa kurrfarë shkaku (mutlak).
2. Përbetim me ndonjë kusht apo arsye (mukajid).

Përbetimi pa kurrfarë shkaku (mutlak) është përbetimi si p.sh.: 
“Për Zotin do të agjërojë këtë ditë”; 
“Betohem në Zotin se do të jap këtë sadaka”; 
“Betohem në Zotin se do t’i fali dy rekate nafile namaz”; 
“Betohem në Zotin se do ta pres një kurban”.

Përbetimi me ndonjë kusht apo arsye (mukajid)
Përbetimi me kusht është kur njeriu përbetohet: “Nëse Zoti ma plotëson këtë dëshirë (si f.v. të punësohem, të ndërtoj shtëpi, ta kryej këtë punë etj.) përbetohem se do ta pres një kurban”.
Edhe pse ky lloj përbetimi është mekruh, prapëseprapë kryerja e këtij përbetimi është i obligueshëm (vaxhib).
Pra mund të vijmë në përfundim se njeriu:
– përbetohet se do ta presë një kurban pa treguar asnjë shkak;
– përbetohet se do ta presë një kurban, duke kushtëzuar me realizimin e ndonjë dëshire (të lejuar) të tij.

Që në të dy rastet, therja e kurbanit quhet Kurbani i Nedhrit (përbetimit), e i cili është vaxhib.

KOHA E THERJES SË KURBANIT NEDHR (TË PËRBETIMIT)

Sikurse edhe te kurbani Ud-hije ashtu edhe te kurbani i Nedhrit, koha e therjes është prej faljes së Bajramit e deri në aksham të ditës së tretë të Kurban Bajramit.

SHPËRNDARJA E KURBANIT NEDHR

Shpërndarja e mishit të këtij kurbani nuk bëhet sikurse te kurbani Ud-hije (i sakrificës), por patjetër duhet të shpërndahet i tërë mishi. Pra, nuk shpërndahet në tri pjesë: një për familje, një për farefisin dhe një për të varfrit.

Dr. Musli Vërbani