Kurbani – pjesa e dytë

KUSHTET QË DUHET T’I PLOTËSOJË KAFSHA PËR KURBAN

1. Që të jetë bagëti: dhi, dele, lopë, buallicë dhe deve. Dhitë e egra apo lopët e egra nuk lejohet të prehen si kurban. Edhe pse mishi i kafshëve të egra, si i dhisë së egër, i kaprollit – lejohet të hahet, nuk lejohen të prehen kurban, sepse Zoti i

Lartmadhëruar ka thënë:
وَلِكُلِّ أُمَّةٍ جَعَلْنَا مَنْسَكاً لِيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِنْ بَهِيمَةِ الْأَنْعَامِ فَإِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ فَلَهُ أَسْلِمُوا وَبَشِّرِ الْمُخْبِتِينَ
“Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e All-llahut, për arsye se i furnizoi ata me kafshët. Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të dëgjueshmit”.
(El-Haxh, 34)

Po ashtu nuk kemi dëgjuar se ndonjë prej sahabëve ka prerë kurban prej kafshëve të egra.

2. Që kurbani të arrijë moshën e caktuar dhe të paraparë:
– Delja dhe dhia duhet t’i kenë një vit të plotë e më shumë;
– Lopa dhe buallica duhet t’i kenë dy vite e më shumë;
– Deveja duhet t’i ketë pesë vite e më shumë.

ÇKA LEJOHET TË PREHET PËR KURBAN

1. Deveja pesë vjetësh;
2. Lopa dy vjetësh;
3. Buallica dy vjetësh;
4. Qengji dash mbi gjashtë muaj që ka mish si delja një vjetësh;
5. Dhia një vjetësh;
6. Bagëtinë e cila nuk ka brirë nga lindja;
7. Bagëtia që nuk e ka një pjesë të bririt;
8. Kafsha e tredhur, por më mirë është të mos jetë e tredhur.

KAFSHA QË NUK LEJOHET TË PREHET KURBAN

1. Kafsha e egër;
2. E verbëta në të dy sytë;
3. E verbëta në një sy;
4. E çala, e cila nuk mund të ecë deri te vendi i therjes;
5. Kafsha shumë e ligsht;
6. Kafsha, e cila e ka të humbur më shumë se gjysmën e veshit të saj;
7. Kafsha, e cila e ka të humbur më shumë se gjysmën e bishtit të saj;
8. Kafsha, së cilës i mungojnë më shumë se gjysma e dhëmbëve të saj;
9. Kafsha e lindur pa veshë;
10. Kafsha, e cila i ka humbur majat e sisëve.

KAFSHA E CILA ËSHTË MEKRUH  TË PREHET KURBAN

Kafshët të cilat janë mekruh të prehen janë:
1. Kafsha me veshë të shqyer;
2. Kafsha me vesh të shpuar;
3. Kafsha me një pjesë të bishtit të këputur;
4. Kafsha e qethur.

Kurbani më i vlefshëm është kurbani deve, pastaj lopë, pastaj dash, e pastaj cjap. Kjo nëse kafshët kanë sasi të mishit të njëjtë, fjala vjen mishi i devesë për shtatë persona është 350 kg., ndërsa edhe lopa ka sasinë e mishit 350 kg dhe po ashtu shtatë dele, apo shtatë dhi kanë 350 kg, dhe po ashtu shtatë dele apo shtatë dhi kanë 350 kg., mirëpo nëse kafshët e vogla kanë më shumë se 350 kg. më e vlefshme është mishi i tyre, sepse qëllimi i kurbanit është të ushqyerit e numrit sa më të madh të të varfërve.

Assesi nuk lejohet të paguhet kundërvlera në vend të prerjes së kurbanit, siç është rasti i sadekatul fitrit, ku në vend të hurmave apo elbit, të jepet kundërvlera e tyre në të holla.

Nëse prehet kafsha për kurban dhe rastësisht vërtetohet se ka qenë mbarsë dhe kafsha e vogël shpëton, atëherë për kundërvlerë të saj jepet sadaka dhe kafsha e vogël rritet dhe shfrytëzohet.
DISA RREGULLA TË VEÇANTA PËR KURBANIN

– Ai i cili e ka vaxhib kurbanin dhe nuk e ka therë në tri ditët e Kurban Bajramit duhet ta blejë një kafshë dhe ta japë sadaka ose të japë sadaka kundërvlerën e kurbanit.
– Ai i cili e ka blerë, por për shkak të rrethanave të ndryshme nuk ka mund ta presë, kurbanin e jep sadaka të gjallë ose ta therë dhe tërë mishin ta japë sadaka.
– Nëse ndonjë person e ka blerë kurbanin, por i ka humbur ose i është vjedhur, ai e blen tjetrin, por nëse e gjen të parin brenda ditëve të bajramit ende pa e prerë, ai zgjedh cilin nga ata dy kurbane ta presë.
– I varfri, i cili nuk e ka vaxhib kurbanin, por ai vendos dhe e blen, por ndërkohë i humb, atij i bëhet vaxhib ta blejë një tjetër kurban dhe ta presë për kurban.
– Lejohet të autorizohet tjetri për të prerë kurban.
– Nuk lejohet të shitet asgjë nga kurbani.

PËR SA PERSONA PREHET KURBANI

1. Delja dhe dhia janë kurban për një person;
2. Lopa, buallica dhe deveja për shtatë persona. Xhabiri r.a. ka thënë: “E kemi kryer haxhin me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe e kemi therë një deve për shtatë vetë”. (Transmeton Ahmedi dhe Muslimi)
– Kafsha e shtatë personave duhet të jetë i lidhur nijeti i të gjithëve për kurban, që do të thotë se nëse njëri pjesëmarrës në therje nuk ka për qëllim kurban, por vetëm për mish të rëndomtë,  e jo të kurbanit, nuk u lejohet gjashtë tjerëve për kurban. Kurbani i tillë nuk vlen për asnjërin.

KOHA E THERJES SË KURBANIT

Gjatë tri ditëve të Kurban Bajramit bëhet prerja e kurbanit. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِنْ بَهِيمَةِ الْأَنْعَامِ فَكُلُوا مِنْهَا وَأَطْعِمُوا الْبَائِسَ الْفَقِيرَ

“(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfërin”.
(El-Haxh, 28)
Muhsiri i haxhit e pretë kurbanin hedj vetëm në ditët e Kurban Bajramit, ndërsa Muhsiri hedj i umres e pretë kur të dëshirojë gjatë tërë vitit.

SHPËRNDARJA E MISHIT TË KURBANIT

– Më së miri është që i gjithë kurbani të shpërndahet, por lejohet që edhe i tërë mishi të mbahet për vete dhe familjen e tij.
– Është e parapëlqyer që të ndahet në tri pjesë:
a. një pjesë t’u ndahet të varfërve,
b. një pjesë t’u ndahet të afërmve dhe fqinjëve,
c. një pjesë të ndahet për familjen e tij.
– Lëkura e kurbanit nuk lejohet të shitet, por jepet sadaka, po ashtu therësi nuk lejohet të paguhet me lëkurën si dëmshpërblim të therjes apo me mish të kurbanit.

KUSH DUHET TA REALIZOJË PRERJEN E KURBANIT
Personi, i cili e ka vaxhib prerjen e kurbanit, më së miri është ta realizojë prerjen personalisht.
Transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. në Haxhin Lamtumirës ka vendosur t’i therë 100 deve kurban, prej tyre gjashtëdhjetë e disa i ka prerë me dorën e tij, ndërsa për të tjerat e ka autorizuar Alijun r.a.
Nëse ndokush nuk di apo nuk mundet, mirë është që së paku të prezantojë me rastin e therjes së kurbanit, sepse Muhamedi s.a.v.s. e ka këshilluar bijën e vet – Fatimen: “Oj Fatime, shko dhe prezanto në vendin ku prehet kurbani për ty, për arsye se sapo të ndahet pika e parë e gjakut të kurbanit tënd, Allahu ka për t’i falur mëkatet.
Nëse ndokush nuk ka mundësi të prezantojë, atëherë nuk prish punë që këtë ta realizojë personi të cilin e ka autorizuar.
Sa i përket të sakrifikuarit të kafshëve mund të jetë: të therurit e tyre që quhet nahr dhe të prerët e tyre që quhet dhib-h.
Therja (nahri) është për kafshën qafëgjatë, siç është deveja, ndërsa prerja (dhibhi) është për kafshët qafëshkurtra, siç janë: lopët, delet, dhitë dhe buallicat.

PARA PRERJES SË KURBANIT

Kush e dërgon devenë deri te vendi i therjes, nëse është i detyruar të hipë në të, hipën, e nëse nuk ka nevojë të hipë në deve, nuk hipën deri te vendi i therjes, sepse atë e ka ekskluzivisht të pastër vetëm për Allahun. Përpos nëse e kërkon nevoja, siç ka qenë rasti kur Pejgamberi s.a.v.s. e ka parë një njeri të dobët dhe të paaftë duke e dërguar devenë deri te vendtherja, e i thotë: “Hip në të”.
Nëse lopa apo delja kanë qumësht, nuk milen, nëse është në pyetje pak para ditës së Bajramit; por nëse ka ende shumë ditë para ditës së Bajramit, milen lopët e delet, por qumështi i tyre, i tëri, jepet sadaka ose kundërvlera e qumështi të tyre jepet sadaka.
Aliu r.a. ka thënë: “Jepe sadaka lëkurën dhe mos i jep kasapit asgjë prej saj (por paguaje posaçërisht)”.

SI DUHET VEPRUAR ME RASTIN E PRERJES SË KURBANIT

Para se të prehet kurbani është e parapëlqyer të merret abdest, të falen dy rekate nafile namaz (këto dy rekate nafile mund të falen edhe pas prerjes së kurbanit). Pastaj përcillet kurbani deri te vendi i prerjes. Mjeti i prerjes duhet të jetë sa më shumë i mprehtë, me qëllim që prerja të bëhet sa më e shpejtë dhe kafshës mos t’i shkaktohen mundime, sepse Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: 
“Kur t’i preni kafshët, preni ashtu që të jetë më së lehti, më së shpejti dhe më së miri”.
Nuk është mirë që mjeti të mprihet në prezencën e kafshës.
Pas kësaj kurbani rrëzohet në krah të majtë, nëse ka mundësi të kthehet në drejtim të kibles (Qabes), i lidhen tri, eventualisht të katërt këmbët, e me dorën e majtë i kapet koka, ndërsa me dorën e djathtë bëhet prerja. Para prerjes bëhet kjo lutje:
“Vexhehtu vexhhije lil-ledhi feteras-semavati vel-erda ve ma ene minel mushrikinë. Inne salatij ve nusukij ve mehjaje vel memati lil-lahi rabbil alemijne. La sherike lehu ve bidhalike umirtu ve ene evvelul muslimine. Allahumme minke ve leke an-nij ve ehli Muhamedin ve umetihi”.

Kjo lutje në gjuhën shqipe do të thotë:
“Fytyrën (personalitetin) tim e kam orientuar dhe drejtuar te Ai, i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën, e unë assesi nuk jam prej idhujtarëve. Nuk ka dyshim se namazi im, kurbani (dhe dhurimi im), po ashtu e tërë jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Krijues të gjithë botëve. Atij, nuk lejohet t’i bëhet idhujtari, e për këtë jam i urdhëruar dhe unë jam prej të parëve i cili dorëzohem dhe jam musliman. O Zoti im, prej Teje dhe për Ty, këtë kurban e theri me nijet për veten time(nëse është në pyetje për dikë tjetër, për filanin) dhe për familjen e Muhamedit dhe për umetin e tij”.

Dr. Musli Vërbani